Rusia: Ukraina po përgatit një provokim gjatë vizitës së kreut të OKB

Nga A2 CNN
18 Gusht 2022, 12:55 | Bota
Rusia: Ukraina po përgatit një provokim gjatë vizitës

Rusia akuzoi Ukrainën se po planifikon, atë që e quan një provokim, në centralin bërthamor të Zaporizhias ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Anionio Guterres gjendet në një vizitë në shtetit në luftë. Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes tha se trupat ruse nuk kanë artileri të rëndë në impiantin që kontrollohet prej tyre, apo në zona të afërta.

Centrali është vënë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve gjatë javëve të fundit, me Kievin dhe Moskën që akuzojnë njëri tjetrin për bombardimet. “Regjimi i Kievit po përgatit një provokim në centralin bërthamor gjatë vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio guterres. Si rezultat i provokimit, Federate Ruse do të fajësohet për një katastrofë në central. Lidershipi ukrainas ka përhapur gënjeshtrat se trupat ruse po qëllojnë me sisteme të artilerisë së rëndë dhe po e përdorin centralin si mburojë. Por ne nuk kemi armatime të rënda të pozicionuara atje”, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Ukraina thotë se situata rreth centralit më të madh të Europës po i afrohet pikës kritike dhe po përgatitet për më të keqen. Në videomesazhin e fundit, Presidenti Volodymyr Zelensky i bëri thirrje ushtrisë ruse të largohet menjëherë nga centrali pa parakushte. “Ushtria ruse duhet të tërhiqet nga territori i centralit bërthamor dhe zonat e afërta dhe të marrë me vete pajisjet ushtarake. Kjo duhet të ndodhë pa kushte dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina është gati të sigurojë kontrollin e përshtatshëm nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore”, tha ai.

Kievi bëri të ditur se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore e ka pranuar ftesën e Ukrainës për të udhëhequr një delegacion në Zaporizhia. Por zyrtarë në Moskë thanë se delegacioni i ekspertëve nuk mund ta vizitojë centralin, deri sa Ukraina të reshtë së bombarduari impiantin.

Rusia sakaq vijon sulmet rreth Ukrainës, duke shkaktuar të paktën 4 viktima dhe 20 të plagosur në qytetin e Kharkiv dhe një tjetër pranë tij, në veri lindje të vendit. Një prej raketave goditi një godinë banimi duke vrarë dy vetë e duke plagosur 18 të tjerë, mes të cilëve edhe 2 fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos