Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte e ftuar në studion e emisionit A2 Business Week, pasi deputetët miratuan draftin më të rëndësishëm të financave publike, buxhetin 2020, me ndërhyrjet për sigurimin e një pjese të fondeve që duhen për programin e rindërtimit. Gjithashtu, u miratua edhe paketa fiskale, ligji i fiskalizimit dhe drafti për koorporatën e investimeve. Ligje të rëndësishëm të ekonomisë, kjo edhe për faktin se 2020 nuk do të jetë një vit i lehtë, ku presioneve të ndryshme iu shtua edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit. Në lidhje me këtë situatë pas fatkeqësisë, ministrja tha se “projektet dhe investimet duhet të vijojnë, por po ashtu është i nevojshëm edhe rindërtimi”. “20 miliardëshi do të financohet me një borxh të shtuar. Nënkuptoj këtu eurobondin, por jo vetëm. Fondi është dinamik sepse do të ketë fondin nga buxheti dhe fondin nga donacionet. Pritshmëritë janë që buxheti do të kontribuojë me 13 miliardë lekë”, deklaroi Denaj. Kur u pyet se sa është fatura e dëmeve nga tërmeti, ministrja u përgjigj: “Jam e rezervuar. E para, për natyrën time sepse dua të shikoj një herë raportin. Sigurisht, është më i lartë se 200 milionë. Do të vlerësojmë”. (A2 Televizion)
Sa është fatura e dëmeve nga tërmeti? Flet Ministrja e Financave
