
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është duke mbledhur firma për t’u vendosur në krye të Grupit Parlamentar të kësaj force politike, por kolegu i tij Arben Ristani mendon se ai nuk i përmbush kushtet.
Në një lidhje direkte me “Ditarin” në A2 CNN, Ristani u shpreh se me vendosjen e Salianjit në krye të Grupit, PD-ja do të ishte duke ulur standardet. Ai solli në vëmendje se janë figura si Luçiano Boçi që mund ta përfaqësojnë më së miri PD-në në këtë pozicion.
Nuk mund ta mbajë Alibeaj sepse nuk e ka mbështetjen e grupit. Sillet si një ushtar i vogël i Ramës. Nga ana tjetër, për sa i përket zëvendësimit të tij, unë do të thosha që PD-ja duhet të ruajë standardet e saj, të shfaqet e kundërta e Rilindjes dhe pushtetit. Ne duhet të ruajmë standardet që kishim. Ne kishim kryetar të Grupit Parlamentar zotin Luçiano Boçi, një ekselent në sjelljen e tij intelektuale dhe formimin e tij profesional. Një politikan i pjekur, i urtë, i kujdesshëm i cili rriste stantardin e PD-së dhe ne nuk mund të ulim të tilla standarde. Nuk mund të ulim standardet. Të jetë një deputet me eksperiencë. Por nga ana tjetër, kini parasysh që është përfaqësim. Dhe PD-ja sot më shumë se kurrë duhet të jetë në majat e standardeve morale për këtë shoqëri.
Luçiano Boçi, deputet i PD-së
Ndërsa, i pyetur për deklaratat e bëra më herët gjatë ditës nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi për përfaqësimin e PD-së në KQZ, deputeti Ristani e përshkroi situatën si absurde.
Ristani pyeti nëse Celibashi do të pranojë dokumentacione që janë të firmosura nga Lulzim Basha që ka dhënë dorëheqjen apo nga Alibeaj, që sipas tij, duhej të ishte caktuar si kryetar i komanduar nga Këshilli Kombëtar. Apo thjesht, shtoi ai, duhet të pranojë vullnetin e demokratëve.
Por sa janë gjasat që PD-ja të bashkohet duke marrë parasysh situata e ngërçe të tilla? Për Arben Ristanin PD-ja është tashmë e bashkuar.
"PD-ja i ka dhënë provat gjatë këtij viti...ka bërë zgjedhje, primare, referendume. Praktikisht partia është e bashkuar. Thjesht ka individë të mendimit ndryshe dhe për këtë partia ka fraksione...” (A2 Televizion)