
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, tha se PD-ja do të kërkojë fitoren në të gjashta bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore. Në një intervistë për Ditarin e A2 CNN, Salianji tha se nuk mendon që demokratët do të përçahen.
“Janë zgjedhje që kanë ardhur në mënyrë të papritur. PD-ja, me sa kam informacion unë, është në procedura të shpejtuara për përzgjedhjen e kandidaturave dhe shumë shpejt do të dalë me kandidatura që përbashkojnë faktorin opozitar, janë persona me reputacion në komunitet”, tha Salianji.
“Ne hyjmë për të fituar. Zgjedhjet nuk janë për t’u vrarë njerëz, se këtu ka ndodhur edhe kjo. Por në kuptimin e një beteje. Edi Rama mund të bëjë filma sa të dojë, mund të bëjë edhe bashkëpunime të këtij lloji, ku duket se ka një dorë edhe në një pjesë të njerëzve të Foltores. Por nuk besoj se do të arrijë të çajë demokratët. Rezultati i kënaqshëm për ne është t’i fitojmë të gjitha. Ne nuk luajmë për të marrë pjesë. PD-ja garon për të fituar në çdo bashki”.
I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me Foltoren, Salianji tha që bisedime ka, dhe ai mendon që të gjithë opozitarët duhet të mbështesin një kandidat të vetëm, atë të PD-së.
“Këto janë diskutime dhe negociata që bëhen në nivele të tjera. Pa diskutim që ekzistojnë. Por kandidatët në nivel lokal kanë specifikë tjetër, duhet të jenë të pranuar nga komuniteti. Nuk besoj se do të ketë demokrat që do të dalë përballë demokratëve për t’i shërbyer Edi Ramës. Nëse krijohet një parti tjetër për të çarë votat e demokratëve, do të dështojë në mënyrën më të turpshme", tha Salianji.
"Nuk besoj, dhe nuk mendoj se mund të dalin kandidatë të pavarur për të dëmtuar interesat e demokratëve. Unë personalisht do të isha që çdo faktor opozitar të mbështesë kandidatin zyrtar të PD-së. Për të treguar që interesat personale të mos prevalojnë mbi interesat e demokratëve të cilët janë pa punë dhe duan të ikë një qeverisje që po u merr frymën”.
Zgjedhjet e pjesshme vendore mbahen më 6 mars në Shkodër, Durrës, Vorë, Lushnje, Dibër dhe Mallakastër. (A2 Televizion)