Sallatë ruse në Samitin e NATO-s

Nga A2 CNN
29 Qershor 2022, 11:45 | Lifestyle

Teksa prisnin për mbërritjen e udhëheqësve të vendeve të ndryshme në Samitin e NATO-s në Madrid, zyrtarët dhe gazetarët panë me habi se në restorantin ku u mbajt takimi i parë, kishte në meny edhe sallatë ruse.

Sikurse edhe në Shqipëri, sallata ruse, e përbërë nga bizele, patate, karota e majonezë, është një pjatë mjaft e preferuar në Spanjë, por askush nuk e priste që ajo të përfshihej në meny, në një takim ku Rusia pritet të etiketohet si kërcënim për sigurinë globale, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Sallatë ruse në Samitin e NATO-s? Jam pak i befasuar për këtë zgjedhje”, tha gazetari spanjoll Iñaki López për median “La Sexta”. Por sipas raportimeve, sallata ruse u shit brenda pak orësh në restorant.

Gjatë darkës së shtruar në mbrëmje, në Pallatin Santa Cruz në qendër të Madridit, menyja ishte pak më diplomatike. Shefi i kuzhinës Jose Andres, i cili përgatiti ushqimin në banketin e ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, shërbeu veç të tjerave edhe sallatë “ukrainase”, duke i ndryshuar emrin sallatës ruse, siç ka bërë në të gjithë restorantet e tij në Spanjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos