“Samiti i 6 dhjetorit i jep goditjen fatale Ballkanit të Hapur”, Berisha njofton orën e protestës

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 19:33 | Politikë
“Samiti i 6 dhjetorit i jep goditjen fatale Ballkanit të

Samiti i 6 dhjetorit në Tiranë i jep goditjen fatale projektit të Ballkanit të Hapur. Kështu deklaroi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi me banorët e njësisë 5 në kryeqytet. Sipas Berishës, Europa në këtë samit i thotë kreut të Kremlinit që Shqipëria është territori i tyre dhe të harrojnë ambicien e tyre.  

“Në prag të një momenti historik jo vetëm për PD, po për shoqërinë në tërësi. Më datën 6 dhjetor mblidhen këtu në Tiranë të gjithë liderët e vendeve anëtare të BE dhe të Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët. Ky është një nder i papërsëritshëm për Shqipërinë është një përzgjedhje gjeostrategjike, historike me të cilin Europa i thotë Putinit dhe të tjerëve që Shqipëria është territor i yni dhe harroni që mund të keni ambicie të tjera. Ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor të shqiptarëve dhe i jep goditje të rëndë projektit të Vuçiç, Ramës dhe vasalit të tij në Shkup, projektit të Ballkanit të hapur i mbështetur haptas nga Lavrov. Por duhet të themi të vërtetën edhe nga Soros dhe djali i tij. Samiti është i mirëpritur”.

Por në ditën e samitit organizohet dhe protesta e opozitës, ku Berisha ftoi të gjithë demokratët që të jenë në bulevard kundër Ramës, që sipas tij është armik i vlerave europiane.

 “Po të marrim se pse ne do të jemi në datën 6 në protestë, unë ftoj liderët e BE-së që ta marrin këtë prani, si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre vlerave të tyre. Por kjo është vetëm një anë e medaljes.  Ne jemi në rrugë e në shesh për të protestuar kundër armikut të vlerave evropiane në Shqipëri, Edi Ramës dhe regjimit të tij. Këtu nuk fshehim asgjë, përkundrazi, ne dalim në datën 6 për të ju thënë liderëve të Europës, se ky nuk përfaqëson jo popullin opozitar, por as popullin shqiptar dhe ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria. Është armik i votës së lirë të shqiptarëve, është një armik të drejtave të tyre, i identitetit, kulturës dhe pasurive të tyre publike, fondeve buxhetore dhe të ardhmes së tyre. Në tërë historinë të ardhmen e shqiptarëve nuk e ka vjedhur kush më barbarisht se Enver Hoxha dhe Edi Rama. Dhe me 6 dhjetor, ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar nuk mund të jetë tjetër, veç në protestë, në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.  Në këtë kontekst, çdo demokrat e demokrate, e ka për detyrë më shumë se asnjëherë tjetër, të marrë çdo masë, të bëjë çdo përpjekje që të gjendet në orën 12:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një protestë të paparë ndonjëherë në historinë e Tiranës. Sot ne jemi populli i gomoneve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos