
Martin Scorsese iu është lutur audiencave që të mos e shohin filmin e tij të fundit, “The Irishman”, me protagonistë Robert De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci, në telefonat e tyre.
Në një intervistë me kritikun e revistës “Rolling Stone”, Peter Travers, pas publikimit të filmit në Netflix, regjisori i famshëm tha: “Do të sugjeroja që nëse shihni ndonjëherë ndonjë film timin, ose edhe flmat e tjerë, ju lutem mos i shihni në telefona, ju lutem. Ndoshta në ndonjë iPad, ndonjë iPad të madh”.
Pas tri javësh në kinema, ku vazhdon të shfaqet ende, filmi mund të shihet edhe në Netflix që prej të enjtes së javës së kaluar. Edhe pse Netflix nuk publikon asnjëherë shifra, besohet se ato janë të larta.
Në rrjetet sociale ka pasur debat në lidhje me mënyrën se si mund të shihet filmi i cili zgjat për tre orë e gjysmë. Disa kanë publikuar foto duke e parë në një “smartwatch”, ndërsa të tjerë kanë postuar një guidë se si mund ta ndash filmin “në seri”, për t’iu përshtatur formatit të ekraneve të vegjël. (A2 Televizion)