Aktori dhe regjisori hollivudian, Sean Penn, i sanksionuar nga Rusia pasi kritikoi luftën e Moskës në Ukrainë, i huazoi statuetën e tij Oscar, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit që pati me të në Kiev.
“Është diçka simbolike, idiote”, tha ai teksa ishte ulur në tavolinën ceremoniale, me Zelenskyn në krah, duke shtuar: “Kur të fitoni luftën, ma ktheni mbrapsht në Malibu”.




Zelensky e nderoi aktorin 62-vjeçar me “Urdhrin e Nderit” në respekt të marrdhënies së ngushtë që ai ka me Ukrainën, duke dalë në mbrojtje të integritetit territorial të vendit prej 8 muajsh në luftë. Sean Penn po xhiron po ashtu edhe një dokumentar në Ukrainë, dedikuar luftës dhe kjo ishte vizita e tij e tretë në Kiev, që prej nisjes së saj.
Edhe në videon e çdo nate, në adresimin për popullin e tij, Zelensky e falënderoi Sean Penn për mbështetjen e tij dhe ndihmën në suportin ndërkombëtar që aktori po bën për Ukrainën, që nga 24 shkurti, kur nisi lufta atje. (A2 Televizion)