Autoritetet italiane kanë sekuestruar 2734 kilogramë kokainë të pastër, të fshehur mes një ngarkese prej 78 tonësh me banane, në portin e Gioia Taura, i vendosur në rajonin e Kalabrisë në Itali.
Lënda narkotike dyshohet se i përkiste klanit mafioz të ‘Ndrangheta e cila prej vitesh e ka përdorur këtë port si derën kryesore të kalimit të sasive të mëdha të lëndëve narkotike në drejtim të vendeve të ndryshme europiane.










Sipas një vlerësimi të policisë financiare lënda narkotike që u kap së fundmi ishte e cilësisë së parë dhe nëse do të dilte në treg do të arrinte një vlerë prej 800 milionë eurosh.
Në deklaratën për shtyp në lidhje me këtë operacion të suksesshëm policia e Reggio Calabria u shpreh se kokaina u zbulua falë një hetimi kompleks ku u përdorën dhe disa skanerë të sofistikuar të doganës.
Për momentin nuk ka asnjë person të arrestuar, teksa policia konfirmon se raste të ngjashme të fshehjes së kokainës në ngarkesa me fruta ekzotike nga Ekuadori janë regjistruar dhe muajt e kaluar. (A2 Televizion)