
Senati amerikan votoi çuarjen përpara të procesit gjyqësor ndaj Donald Trump, duke hedhur poshtë pretendimin se procedimi ndaj tij ishte antikushtetues.
Në seancën historike, senatorët dëgjuan akuzat e demokratëve dhe në fund 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër. Rezultati tregon që edhe 6 republikanë votuan me demokratët.
Donald Trump akuzohet për “Nxitje të kryengritjes”, për ngjarjet e ndodhura në Capitol Hill, më 6 janar dhe bëhet kështu ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.
Demokratët shpresojnë t’i heqin të drejtën e mbajtjes së një posti publik në të ardhmen.
Pak orë para nisjes së gjyqit, avokatët mbrojtës të Trump e kanë cilësuar vendimin si “antikushtetues”, tani që klienti i tyre nuk është më në detyrë. (A2 Televizion)