Senatorët amerikanë në A2 CNN: Largoni “non grata”-t nga sistemi

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 14:26 | Politikë
Senatorët amerikanë në A2 CNN: Largoni “non grata”-t

Dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, në një intervistë për A2 CNN me gazetarin Ervin Koçi, u shprehën se pastrimi i politikës nga elementët korruptiv është një proces që duhet të ndodhë.

Kur u pyetën se çfarë mendojnë për faktin që në zgjedhjet e para pak ditëve, dy persona të shpallur “non grata” nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, udhëhoqën fushatën për dy parti, Peters u përgjigj: “Është e rëndësishme për t’u siguruar që vendi lufton korrupsionin dhe e largon atë jashtë politikës në Shqipëri. Që të ndërtohet një demokraci e fortë, njerëzit duhet të kenë besim tek sistemi, të besojnë se personat që i përfaqësojnë nuk janë të korruptuar në asnjë mënyrë. Kështu që Shqipëria duhet të vijojë rrugëtimin për ta përmirësuar demokracinë, të gjithë e bëjmë, edhe ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës punojmë për këtë gjithë kohës. Demokracia nuk është diçka që merr dhe e ke, por është një sfidë e përhershme. Duhet të sigurohesh pa pushim që po Lufton për parimet e një shoqërie të hapur demokratike. Në fund të fundit, janë qytetarët e Shqipërisë duhet të insistojnë që korrupsioni të dalë nga sistemi në mënyrë që demokracia të forcohet këtu”.

Ndërsa Senatori Murphy theksoi: “Shqipëria ka bërë përparim domethënës në luftën kundër korrupsionit. Sigurisht, ka ende reforma për të zbatuar, por që tani ne kemi parë ecurinë pozitive në sistemin gjyqësor ku ata që ishin brenda sistemit dhe kërkonin të përfitonin nga postet e tyre, po largohen dhe ky është një sinjal i vërtetë që ky vend është i vendosur ta luftojë korrupsionin. Mendoj se Senatori Peters ka të drejtë, të gjithë kemi vështirësitë tona, apo jo? Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i bien botës qark dhe të pretendojnë përsosmëri. Edhe demokracia jonë ka probleme. Ndaj, një nga arsyet se përse ne jemi këtu, është që të punojmë mbi problemet e përbashkëta, në mënyrë që të ketë më shumë njerëz që votojnë në zgjedhje dhe që ndëshkojnë edhe më shumë këta abuzues kudo mundemi. Këto janë probleme të përbashkëta dhe ne jemi të angazhuar për të gjetur zgjidhje për to”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/ceshtja-mcgonigal-senatori-amerikan-ne-a2-cnn-presim-rezultate-nga-procesi-penal/
https://a2news.com/video/afganet-ne-shqiperi-senatoret-amerikane-shpresojme-ti-mbani-pak-me-gjate/
https://a2news.com/2023/05/24/marredheniet-me-shba-senatoret-chris-murphy-dhe-gary-peters-interviste-ne-a2-cnn/
https://a2news.com/video/senatoret-amerikane-shba-mbeshtet-ballkanin-e-hapur/

A2 CNN Livestream

Latest Videos