
Serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga ata vetë edhe në Zupç, barrikadë kjo që ka qenë e vendosur në rrugën që çon për në pikën kufitare në Bërnajk. Barrikada më e madhe e vendosur në Rudarë, nga grupe të caktuara kriminale, dje është larguar nga vetë ata që i kanë vendosur.
Shumica e barrikadave ishin vendosur njëzet ditë më parë për shkak të arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, që dyshohet për terrorizëm, i cili me urdhër të Gjykatës është liruar në arrest shtëpiak.
Ndryshe, serbët për herë të parë kanë ngritur barrikada në shenjë proteste në vitin 2011 për të kundërshtuar shtrirjen e pushtetit të autoriteteve kosovare në atë pjesë të vendit. Që nga atëherë, barrikadat janë simbol i tensioneve dhe destabilitetit në veri të Kosovës.
Ndërkohë, dy pikat kufitare, ajo në Jarinjë dhe tjetra në Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura sot. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në pikat tjera kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.
Ndërsa pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri, më 10 nëntor. Barrikadat janë larguar në fshatin Rudar, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut. (A2 Televizion)