
Një sërfist në Kaliforni u shpëtua me helikopter pasi ishte kafshuar nga një peshkaqen. 37-vjeçari u sulmua nga grabitqari i oqeanit ndërsa po lundronte në ujërat e ishullit Santa Rosa.
Miqtë e tij, të cilët njoftuan edhe Rojën Bregdetare, arritën të ndalnin gjakderdhjen duke i bllokuar plagën. Një efektiv tha se zona ku ai po bënte sërf është shumë e veçuar dhe ishte me fat që nuk ishte vetëm, pasi mund të kishte humbur jetën.
Ishulli Santa Rosa është 41 km larg brigjeve të Santa Barbaras. Edhe pse peshkaqeni që e sulmoi nuk u identifikua, në zonë shumica e sulmeve janë kryer nga peshkaqenë të bardhë.