
Një grup peshkatarësh që merren me rritjen e salmonit në Vankuver të Kanadasë filmuan me telefon momentin kur shpëtuan një shqiponjë kokëbardhë pak çaste para se të bëhej vakti i një oktapodi. Ndërsa po ktheheshin në port pas një dite të lodhshme pune, ata dëgjuan zhurma dhe pak më vonë panë shqiponjën që po luftonte të mos zhytej në ujë.
Të pasigurt për atë që duhet të bënin, ata qëndruan për rreth 5 minuta thjesht duke parë betejën mes shqiponjës dhe oktapodit. “Nuk ishim të sigurt nëse duhet të ndërhynim apo të linim natyrën të ecte në rrjedhën e vet”, tha Joh Ilett, një prej peshkatarëve. “Por nuk po na e bënte zemra të shihnim se si oktapodi mbyste shqiponjën”.
Ata vendosën të ndihmonin dhe me një shkop arritën t’i jepnin pak liri veprimi shqiponjës, aq sa për të arritur të largohej e të shpëtonte veten. (A2 Televizion)