
Asnjë marrëveshje për rifillimin e Serisë A në Itali. Duket se ka përfunduar pa sukses takimi mes ministrit të Sportit dhe botës së futbollit në Gadishullin Apenin.
Në fjalën e tij, Spadafora theksoi se pas diskutimeve në takimin e fundit, me temë rifllimin e stërvitjes dhe kampionateve në ditët e ardhshme, do të flasë edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe Komitetin Tekniko-Shkencor përpara se të marrë një vendim.
Në takimin që zgjati rreth dy orë u diskutua mbi mundësitë për rifillimin e mundshëm të stërvitjeve në siguri maksimale për atletët dhe stafin e klubeve sportive. Nga ana e tyre, klubet i thelluan akoma më shumë kërkesat për të rifilluar aktivitetin në siguri maksimale. Kërkesa që kalojnë nga ato sanitare apo deri te kush është përgjegjës për infektimin, deri tek kërkesat rregullatore si qartësi në lidhje me zgjatjen e kontratave, efektet juridike nëse do të ketë një tjetër ndalesë pas rifillimit, heqja dorë nga pagat mujore apo qartësia për dritaren tjetër të merkatos.
Pa harruar aspekte të tilla si detyrimi eventual i karantinës së gjithë ekipit në rast të ndonjë lojtari të infektuar, zgjedhja e vendeve të ndeshjes apo pasojat e ndonjë bllokimi rajonal.
Me pak fjalë, të gjithë janë të gatshëm që të kthehen në fushë, por edhe në rast të një stopimi përfundimtar të kampionateve nuk do të jetë çudi nëse Italia imiton Belgjikën apo Holandën. (A2 Televizion)