
Përgjatë 20 viteve të fundit, Dan Hutra ka qëndruar më pak se 4 vite i lirë, pjesën tjetër e ka kaluar në qeli. I akuzuari si autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave i ka nisur hesapet me drejtësinë në vitin 2003, kur u arrestua për tentativën e pengmarrjes së vjehrrës dhe kunatës.
Më pas, sa herë që ka dalë nga burgu, ai është përfshirë në ngjarje kriminale, gjithnjë e më të rënda. Në vitin 2007, ai vrau ish-bashkëshorten. Në 2021 u përfshi në vjedhje banesash dhe në 2022 u prangos për tentativë vjedhje banesash dhe për ‘dhunë në familje’. Sipas vendimeve gjyqësore të dhëna ndaj tij, rezulton se përgjatë 20 viteve të fundit, për të janë dhënë një total prej 20 vitesh burg.
Në çdo rast, koha e dënimit ka qenë më e shkurtër, për shkak të kohës së paraburgimit. Dënimi i fundit ndaj tij është dhënë nga Gjykata e Tiranës në 8 shkurt 2023. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, sa dënimi i kërkuar nga prokuroria, për dhunën psikologjike të ushtruar ndaj ish-partneres së tij Elena Hysa.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar shkoi në 1 vit. Në kallëzimet e saj, ish-partnerja fliste për jetën skllavëruese me Hutrën, si edhe kërcënimet e forta, ku përmendte gjakun deri në gju, drejt familjarëve të saj.
Të gjitha vinin pas dyshimeve të Hutrës se Hysa priste një fëmijë që nuk ishte i tij. Referuar vendimit të gjykatës, të siguruar nga A2 CNN, gjatë gjykimit Hysa ka paraqitur dy deklarata noteriale, ku deklaron tërheqjen nga kallëzimi dhe një nga babai i saj për normalizim të marrëdhënieve.
Gjyqtari Gerd Hoxha arsyeton se kjo rrethanë nuk merret në konsideratë si rrethanë lehtësuese. Më pas, në 16 shkurt gjyqtari Hoxha ka shuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhe urdhëruar lirimin e Hutrës, pasi koha e qëndrimit të tij në qeli ishte më e madhe se koha e dënimit. (A2 Televizion)