
Për të gjashtën herë në ngarkesat me banane të kompanisë “Alba Exotic Fruit” fshihet kokainë. Këtë herë Task Forca permanente e krijuar në portin e Durrësit gjeti 10 kilogramë të fshehura në pjesën e motorëve frigoriferikë, ndërsa kompania vijon të sjellë ngarkesa bananesh në të cilat fshihet kokainë.
Hera e fundit kur në kontejnerët e kësaj kompanie u gjet drogë ishte në 7 shtator, me rreth 8 kilogramë. Ndërkohë më herët, në 13 korrik në Portin e Durrësit iu u sekuestruan 12 kilogramë kokainë, ndërsa më 23 korrik u gjetën 7 kilogramë të tjera.
Nuk do të kalonte shumë dhe sërish në një interval prej një jave më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”.
Kompania “Alba Exotic Fruit” rezulton e përmendur edhe më parë në trafikun e kokainës ku në vitin 2019, në kontejnerët e saj, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga DEA amerikane.
Për trafikun e drogave të forta në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj ndërsa u shpall në kërkim Gentian Malindi. (A2 Televizion)