
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar përleshjet fizike që ndodhën gjatë seancës në parlamentin, duke theksuar se “është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve”.
“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, thekson Osmani në një deklaratë.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dënoi dhunën në kuvend duke shprehu keqardhje për atë që ndodhi.
“Në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës”, nënvizon ai.
Një reagim ka ardhur edhe nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Këto elementet të nxitjes së dhunës janë të qarta për të gjithë se i patë. I patë dhe goditjet dhe sjelljet të tilla, për neve dhuna është dhunë dhe dënohet, por ne do të shohim edhe për burimin e kësaj dhune. Pra, nivelin polarizues që kemi në vend dhe mosaftësinë të sillemi si akterë normal politik përbashkues në sfidat përpara të Kosovës. Ne duhet të jemi përgjegjës karshi veprimeve tona dhe do të bëjmë përpjekje për të sjellur sjellje demokratike normale”, tha Abdixhiku. (A2 Televizion)