Sherr masiv në Kuvendin e Kosovës, opozita sulmon fizikisht kryeministrin Kurti, grushtohet ministri

Nga A2 CNN
13 Korrik 2023, 15:52 | Kosova
Sherr masiv në Kuvendin e Kosovës, opozita sulmon fizikisht

Beteja verbale në Kuvendin e Kosovës kaloi në konfrontim fizik. Ofendime, përleshje, grushte dhe kaos. Ishte ky rezultati i një seance tepër të tensionuar mbi një debat të bazuar në audiopërgjime dhe raportet e palëve me kriminelin Milan Radojçiç.

Sherri masiv në sallën e parlamentit nisi kur në foltore po qëndronte kryeministri Albin Kurti. Fillimisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi hoqi një imazh tallës për shefin e qeverisë të ngjitur pranë pankartës me mbishkrimin në serbisht “Zdravo”, që nxiti reagimin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ky i fundit lëshoi ujë në drejtim të Kurtit, por edhe Bislimit. Zëvendëskryeministri reagoi duke lëshuar një shishe në drejtim të tij, duke bërë që të shpërthente një valë dhune ku u përfshinë deputetë të shumtë. Në pamje shihet teksa goditen me grushte Bislimi dhe ministri i financave Hekuran Murati, por edhe ligjvënës të opozitës. Mbrojtja e kryeministrit Kurti ndërhyri, por kaosi dhe dhuna nuk u ndalën, gjë e cila detyroi kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, që të kërkonte dhe ndihmën e policisë.

“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme; përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne. nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”, tha Konjufca.

Me këtë njoftim dhe duke marrë parasysh që tensionet brenda sallës nuk po uleshin, parlamenti shkoi në pauzë. Edhe jashtë sallës, anëtarët e PDK-së nuk i ndalën akuzat ndaj mazhorancës duke pretenduar se janë provokuar rëndë nga Bislimi dhe kërkuan dorëheqje të qeverisë.

“Ai po shpif dhe Bislimi, ai kryenegociatori i tradhtive doli e hoqi një fotografi dhe goditi me shishe një deputet të PDK-së e gjuajti me shishe.. .Po, provokoi rëndë sepse karakteri i tyre, ndërgjegjja e tyre në çka e kanë esklauar këta në bashkëpunim m Radoiçiqa, me kriminelë të deklaruar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në listë të zezë, të shpallur terroristë nga kjo qeveri, bashkëpunojnë me këta terroristë”, u shpreh deputeti i PDK Hisen Berisha.

Lëvizja Vetëvendosje reagoi duke dënuar dhunën në parlament dhe akuzon deputetët e PDK për sulm me grushte dhe sjellje prej banditësh. “Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues”, shkruhet në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos