
Sali Berisha foli në sesionin e ri parlamentar, i cili nisi këtë të hënë, duke akuzuar mazhorancën se po tenton t’u mohojë fjalën deputetëve të opozitës.
“Për shkak të një personi, që ka inkriminuar veten nga këmbët te koka, parlamenti funksionon kundër parimeve të një vendi të lirë. Ky parlament u mohon deputetëve të drejtën kushtetuese. Ky parlament është shndërruar në funksion të një njeriu, i cili ka argument të vetëm sharjen si ordiner.
Ju bëni gjithçka që të na bllokoni kontrollin. Në mënyrë absolute kjo nuk do të pranohet. Ju e dini që ai ka firmosur sikur të ishte kryetar i një organizate kriminale. Kërkoj nga ju që rregullat themelore të parlamentit të mos i shkelni”, tha Berisha.
Më tej, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i kërkoi Berishës të ulej pasi i kishte përfunduar fjala, por kreu demokrat vijoi të fliste, madje pranë tij në foltore shkuan edhe deputetë të tjerë të opozitës. Kjo bëri që Nikolla të ndërpriste seancën. (A2 Televizion)