Po ushtron PS presion mbi administratën me “Aktivistin”? Balla: Praktika të njëjta ndiqen në SHBA

Nga A2 CNN
16 Janar 2023, 12:29 | Politikë
Po ushtron PS presion mbi administratën me “Aktivistin”? Balla:

Nuk kam asnjë koment kur bëhet fjalë për arrestime. Kam vetëm përshëndetje.” Ka qenë ky komenti i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kur u pyet nga gazetarët rreth arrestimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj.

Balla përsëriti edhe një herë qëndrimin e mbajtur nga e majta qeverisëse në raste të ngjashme se përgjegjësitë janë individuale.

“Përgjegjësitë penale, ligjore administrative janë personale. Le të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet, “ deklaroi Balla.

Po ashtu, në daljen për mediat pas mbledhjes së parë të Grupit të PS-së, përpara seancës plenare që do të mbahet pasditen e kësaj të hëne, Taulant Balla sqaroi se në mbledhje nuk ka pasur kritika ndaj ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

 “Ka pasur një keqinformim. Nuk është kritikuar ministrja e Jashtme. Xhaçka ka një prezencë të rregullt dhe marrëdhënie korrekte me Kuvendin dhe mua si kryetar grupi dhe me të gjithë.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së u pyet nga gazetarët edhe nëse partia në të cilën ai bën pjesë po i ushtron presion administratës përmes aplikacionit “Aktivisti.”

Balla sqaroi se njëlloj si patronazhistët, ky aplikacion është një tjetër tipar që tregon se PS-ja është një parti e mirorganizuar sidomos kur vjen momenti për fushata elektorale. Balla përmendi praktika të ngjashme të ndjekura në SHBA.

“PS-ja është partia më e madhe në vend. Dhe sikurse shumë parti të mirorganizuara në Europë kur përpara pak vitesh, në 2020 ne filluam të organizojmë një skemë që përmbledh edhe anëtarin e partisë edhe simpatizantin, edhe patronazhistin, këtu pastaj filloi një histori...Patronazhisti është një mbështetës i PS-së, i njëjtë me një mbështetës të Partisë Demokratike në SHBA që bën të njëjtën gjë. Pra, nëse do t’ju jepet mundësia të shkoni dhe të ndiqni organizimin e një fushate zgjedhore të Partisë Demokratike amerikane apo të Partisë Kristian-Demokrate në Gjermani, do të kuptoni që është e njëjta gjë. Obama në 2012 deklaronte se fushata tradicionale, me mënyrën tradicionale mbaroi në 2012.” (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/16/kthimi-i-dekoratave-nga-presidenti-do-te-shqyrtohet-balla-nese-gjejme-ceshtje-qe-duhen-adresuar-pranohet-dekreti/

A2 CNN Livestream

Latest Videos