
Ashtu si bregdeti, edhe juglindja ka çelur sezonin veror, të cilin shpreson ta kenë më të mirë se ai i kaluari. Në këtë kuadër, komiteti rajonal i turizmit në Prefekturën e Korçës është mbledhur në një takim ku të gjithë aktorët kanë koordinuar veprimet dhe detyrat e tyre për një sezon sa më të mirë.
Krijimi i një pakete rajonale për gjithë juglindjen ishte orientimi i prefektit të Korçës, Nertil Jole. Ndërsa ashtu si në sezonet e tjera, Policia e Shtetit duket se ka detyrën më të vështirë, por edhe përballjen direkte me qytetarët.
E ndërsa ngjarjet me pasoja të rënda nuk kanë sjellë shqetësime në juglindje, drejtuesi i parë i policisë së qarkut të Korçës ka paralajmëruar se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë shkelje të normave dhe ligjeve të miratuara për mbarëvajtjen e sezonit.
Dhe natyrisht, fokusi është vënë tek muzika në orët e mbrëmjes, për të cilën drejtuesi i parë Gjovalin Loka ka qenë i prerë.
Juglindja e vendit pret turistë thuajse çdo stinë të vitit, por në verë numri i turistëve 10-fishohet përfshirë vizitorët vendas dhe ata të huaj. (A2 Televizion)