
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pohon se tensionet në Veri të Kosovës po përdoren për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke i cilësuar barrikadat serbe si një zgjatim i asaj që ndodhi në Ukrainë nga Rusia.
Në takimin e fundvitit me përfaqësuesit e Shqipërisë me misione ushtarake jashtë vendit, Peleshi dërgoi një mesazh mbështetës për qytetarët e Kosovës për t’i garantuar që siguria e tyre është e pacenueshme.
Për shkak të pushtimit rus në Ukrainë, sipas Ministrit Peleshi, u trondit e gjitha siguria e botës. Për këtë arsye, por edhe si detyrim si vend anëtar NATO-s, Shqipëria në vitit 2023 pritet të modernizojë flotën ajrore.
Ministri i Mbrojtjes vlerësoi kontributin e përfaqësuesve ushtarakë në misionet e rëndësishme, pasi sipas tij, falë kësaj pune, Shqipëria ka hyrë në një dimension të ri në bashkëpunim me NATO, ku përmendi aleancën strategjike me SHBA, por edhe bashkëpunimin me BE. (A2 Televizion)