
Ekonomisti Dritan Shano, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, u shpreh se “momenti që po kalon vendi është i rëndësishëm, pasi pritet që të merret vesh se kush do të jenë njerëzit që do të miratojnë ligje”, por, sipas tij, në vend që të jetë moment transparence dhe feste, “vazhdon të mbetet moment misteri, por edhe hilesh dhe skuthlliku”.
“Në logjikën time, ky duhet të ishte moment transparence dhe feste, por vazhdon të mbetet moment misteri, por edhe hilesh dhe skuthlliku. Partitë e mëdha vijojnë me llogaritë e tyre dhe mua më duket e paudhë që në 5 minutat e fundit të të japin një zgjidhje të mrekullueshme, që nuk e kishte menduar 6 muaj më parë. Unë nuk besoj se do të jem në listën që do të dorëzojë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha”, deklaroi Shano.
Në lidhje me programet e partive, Shano theksoi se programi i vetëm do të jetë agjenda që i ka vendosur Shqipërisë Parlamenti Europian.
“Në gjithë këto vite, jemi vendi i parë për azilkërkues dhe që provojnë më shumë Lotarinë Amerikane. Shqiptarët kanë treguar se kanë agjendë që të bëhen qytetarë të Perëndimit dhe nuk do të presin që Shqipëria të pranohet si anëtare në BE. Çfarëdolloj rezultati të prodhojnë zgjedhjet, pavarësisht programeve të partive, Shqipëria do të ketë si program pikat e Parlamentit Europian. Kjo është agjendë që nuk i bën dot bisht asnjë parti”, u shpreh Dritan Shano. (A2 Televizion)