Shano: Po nuk blemë respiratorë do të detyrohemi të blejmë qivure

Nga A2 CNN
17 Mars 2020, 09:22 | Ekonomi
Shano: Po nuk blemë respiratorë do të detyrohemi të

Dritan Shano, ekspert ekonomie, u shpreh në Ditarin e orës 09:00 në A2 se qeveria duhet të duhen marrë masa lehtësuese për ekonominë dhe për lehtësimin e kostove të jetesës së të gjithëve, pas situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit edhe në vendin tonë.

“Pandemia shëndetësore kërkon vëmendjen maksimale nga autoritete, por nuk duhet të harrojnë se shumica e njerëzve në Shqipëri nuk kanë rezerva të mëparshme. Është normale që një qeveri e përgjegjshme t’i drejtohet me masa lehtësuese qytetarëve. Qeveria është e detyruar dhe nuk është turp të marrë sugjerime nga të gjitha anët. Duhen marrë masa lehtësuese për ekonominë dhe për lehtësimin e kostove të jetesës së të gjithëve”, tha Shano.

Më tej, ai sugjeroi që faturat e energjisë dhe furnizimit me ujë duhet të fshihen për muajt mars-prill dhe të rishikohen për muajt në vijim. “Nuk ka arsye që familjet shqiptare të paguajnë në këto muaj. Nuk ka asnjë interes vital kjo gjë. Kjo do të lehtësonte kostot e jetesës. Shqipëria e ka për detyrë të garantojë infrastrukturat kritike. Qeveria ka detyrë të krijojë edhe rezerva ushqimore, pasi ne nuk e dimë se si do të përballemi me situatën ndërkombëtare. Njerëzit nuk kanë asnjë mundësi financiare. Nesër apo pasnesër nuk do të kenë më parë për të blerë në dyqane, ndërsa qeveria i gjen mënyrat”, u shpreh Shano.

Dritan Shano theksoi se qeveria duhet të rishikojë buxhetin. Ai u shpreh se duhet të sigurohen respiratorë dhe tamponë mjaftueshëm.

“Në këtë mes nuk ka më asnjë vlerë as politika as propaganda. Propozimet e FMN-së janë të vlefshme, por pak afatgjata. Shqipëria e ka urgjente të ndryshojë strukturën e ekonomisë të jetë prodhuese në vend dhe jo vetëm importuese.

Që buxheti 2020 duhet rishikuar është gjëma më normale dhe e menjëhershme që duhet bërë. Kjo duhej të ndodhte që pas Konferencës së Donatorëve, jo më tani në këtë situatë. Buxheti duhet të rishikojë që të sigurojë respiratorë dhe tamponë mjaftueshëm për qytetarët. Të garantojë staf mjekësor dhe mjekët që po i përgjigjen thirrjes. Pezullimi i PPP-ve, na shkoi goja mbrapa, duke e kërkuar. Ato tre PPP që kanë lidhej me shëndetin duhen rimodeluar të treja në favor të situatës që ne kemi. E pakuptimtë se si qeveria nuk rishikon buxhetin.

Nuk pres që qeveria të anulojë dhuratat ku e mbështet pushtetin dhe ekzistencën vet politike, por të përkulet t’i rimodelojë dhe t’i çojë në një adresë tjetër ato para që kanë shkuar për “chek up”. Po nuk blemë respiratorë do të detyrohemi të blejmë qivure, kaq e thjeshtë është”, u shpreh Shano. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos