SHBA dënon sulmet ruse në Ukrainë: Treguan brutalitetin e luftës së paligjshme të Putinit

Nga A2 CNN
11 Tetor 2022, 07:12 | Bota
SHBA dënon sulmet ruse në Ukrainë: Treguan brutalitetin e

Rusia është dënuar gjerësisht pas bombardimeve të qyteteve anembanë Ukrainës, përfshirë sulmet me raketa për herë të parë në qendër të Kievit.

SHBA tha se sulmet "brutale" kishin goditur objektiva joushtarake, duke përfshirë një universitet dhe shesh lojërash për fëmijë, si dhe premtuan ndihmë të vazhdueshme ushtarake.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ishte një nga shumë udhëheqës të huaj që foli me presidentin Zelensky dhe ai "u zotua të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës mbështetjen e nevojshme për t'u mbrojtur, përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore", tha Shtëpia e Bardhë.

https://a2news.com/2022/10/10/bombardohet-ukraina-zelensky-putin-po-perdor-dronet-shahed-qe-mori-nga-irani/

Sipas Biden, sulmet demonstruan "brutalitetin e plotë" të "luftës së paligjshme" të Putinit.

Pas telefonatës, presidenti Zelensky u zotua të forcojë forcat e armatosura të Ukrainës dhe "ta bëjë fushën e betejës edhe më të dhimbshme për armikun".

Shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ishte "thellësisht i tronditur". Ai i përshkroi sulmet si "një tjetër përshkallëzim i papranueshëm i luftës" për të cilin civilët po paguanin çmimin më të lartë.

Po kështu edhe BE-ja tha se ishte kryer një krim lufte, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Rusia qëndronte pas terrorit dhe brutalitetit.

Ndërsa Kina dhe India, të cilat nuk e kanë dënuar luftën, bënë thirrje për një depërshkallëzim.

Nga ana e tij, Vladimir Putin tha se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë.

Ukraina thotë se janë lëshuar 83 raketa, nga të cilat më shumë se 43 janë rrëzuar.

Në një video sfiduese, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se "Ukraina nuk mund të frikësohet. Ajo mund të jetë vetëm më e bashkuar".

Breshëria vdekjeprurëse përfshinte sulme në qytetet Lviv, Kharkiv, Dnipro dhe Zaporizhzhia dhe ishin disa nga më të këqijat që Ukraina ka parë për muaj të tërë.

Të paktën 14 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, thanë zyrtarët.

Disa rajone mbetën pa energji elektrike dhe ujë pasi raketat goditën infrastrukturën energjetike.

Banorët në kryeqytetin Kiev thanë se Rusia dukej se synonte zonat civile që ishin të zënë me udhëtarët e mëngjesit të së hënës, duke përfshirë këndin e lojërave për fëmijë, universitetin dhe parkun e njohur Taras Shevchenko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos