
Kandidati demokrat për presidencën Michael Bloomberg do të marrë pjesë për herë të parë në një debat televiziv me rivalët e tij për nominimin e partisë, ditën e mërkurë. Në mënyrë që të lejohej të merrte pjesë në debatin e Nevadës, ai duhej të kishte një mbështete dyshifrore në 4 sondazhe kombëtare të njohura nga partia demokratike.
Sipas njërit prej tyre, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut gëzon mbështetjen e 19 përqind të personave të anketuara.
Bloomberg nuk garon në 4 zgjedhjet e para për nominimin e partisë por do t’i bashkohet garës në 3 mars, në atë që njihet si “super e mërkura”, kur do të votojnë 14 shtete.
Miliarderi u rendit i dyti në sondazh, pas Bernie Sanders që kryesoi me 31 përqind të mbështetjeve. Joe Biden u rendit i treti. Bloomberg ka shpenzuar qindra miliona dollarë në spote televizive, radiofonike e digjitale për fushatën e tij. Rivalët, Elizabet Warren dhe Bernie Sanders e kanë akuzuar se po përpiqet të blejë zgjedhjet.
“Sot, u themi këtyre miliarderëve që po shpenzojnë qindra miliona dollarë për të mbështetur kandidatët që përfaqësojnë të pasurit se ne jemi një demokraci e jo oligarki. Ne nuk do t’i blejmë zgjedhjet”, deklaroi Bernie Sanders.
Bloomberg i mohon pretendimet dhe është ofruar të financojë përpjekjet e demokratëve për të mundur presidentin Donald Trump edhe nëse nuk e fiton nominimin e partisë. Gjatë debatit në Nevada, 78- vjeçari pritet të përballet me pyetje të vështira lidhur me disa prej politikave gjate kohës kur ishte kryebashkiak. (A2 Televizion)