“SHBA mbështet Ballkanin e Hapur”, Rama: Në muajt në vijim do të kemi të reja

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2022, 12:13 | Politikë
“SHBA mbështet Ballkanin e Hapur”, Rama: Në muajt në

Kryeministri Edi Rama deklaroi para gazetarëve shqiptarë se Shtete e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht Ballkanin e hapur dhe paralajmëroi se së shpejti do të ketë të reja në lidhje me këtë nismë.

“Jam i kënaqur që administrata amerikane e ka përqafuar Ballkanin e hapur, është 100% në mbështetje të tij dhe jam i bindur që në muajt në vijim, do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e hapur” dhe mbështetja është 100%”.

I pyetur se çfarë përfiton konkretisht vendi ynë nga mbështetja e SHBA-së, Rama theksoi se bashkëpunimi do të jetë në fushën e mbrojtjes dhe atë ekonomike, ku foli për interesin e kompanive amerikane, për të rritur prezencën e tyre në Shqipëri.

“Dy korsitë e reja të bashkëpunimit me SHBA-në janë në fushën e mbrojtjes dhe atë të ekonomisë. Në fushën e mbrojtjes ushtarake jemi duke bashkëpunuar për ngritjen e akademisë rajonale të mbrojtjes në Tiranë mbi bazën e akademisë sonë ushtarake, dhe ndërkohë Defender 21 ka qenë histori suksesi. Po ashtu, investime do të ketë edhe në fushën e ekonomisë. Kemi nxitje nga Uashingtoni për kompani amerikane për t’u futur në Shqipëri. Kemi folur për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ka interes të shtuar, për të rritur prezencën ekonomike në Shqipëri”.

Dhe sipas Ramës, prezenca ekonomike “lidhet me sistemin shtetëror dhe atë të drejtësisë që është ende në kantier, por në proces transformimi dhe në avantazh”.

Duke e konsideruar të suksesshme vizitën e tij në SHBA, Rama tha se kjo ka ardhur për shkak të gjithë atyre që kanë kontribuar për ta vendosur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare në një nivel tjetër, ku dëgjohet dhe respektohet si e barabartë në çdo tryezë.

“Ne kemi arritur atë që kemi dashur kur jemi nisur, qoftë me organizimin e djeshëm kur ishim së bashku në Nju-Jork ku kishim një audiencë të gjerë lidhur me KS të OKB dhe praninë tonë atje, qoftë takimin me sekretarin Blinken që kemi rrokur të gjitha temat e bashkëpunimit tonë me SHBA-në. Ne kemi ditur të ndërtojmë mbi bazën e mëparshme dhe ta çojmë politikën tonë në një nivel tjetër dhe kjo nuk është merita ime personale, por e të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe e kanë vendosur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare në një nivel në komplet tjetër. Dëgjohemi respektohemi për aq sa mundemi dhe në çdo tryezë trajtohemi si të barabartë”.

Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, Rama tha: “Ne jemi mbështetës të dialogut këtë kemi diskutuar me sekretarit, nevojën e thellimit të dialogut mes Serbisë e Kosovës dhe domosdoshmërisë që me dialog të arrihet në një vendim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos