
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati të fuqizojnë diplomacinë me Kinën, edhe pse e konsiderojnë atë si një rrezik të madh. Në një fjalim të shumëpritur në Universitetin George Washington, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se administrata Biden nuk po kërkon një konflikt me gjigantin aziatik dhe se nuk dëshiron të shkëpusë Pekinin nga ekonomia globale.
Por, shefi i diplomacisë amerikane shtoi se Kina duhet t’i përmbahet rregullave kombëtare: “Ne nuk po kërkojmë një konflikt apo luftë të ftohtë. Përkundrazi, duam t’i evitojmë të dyja. Nuk duam ta bllokojmë Kinën si fuqi e madhe dhe as të ndalim zhvillimin e ekonomisë së vendit. Por, ne do të mbrojmë dhe do të fuqizojmë ligjet ndërkombëtare, marrëveshjet dhe institucionet që ruajnë paqen dhe sigurinë, duke mbrojtur të drejtat e individëve dhe shteteve sovrane dhe të mundësojmë qe të gjitha vendet, përfshirë SHBA dhe Kinën, të bashkëjetojnë dhe bashkëpunojnë”.
Blinken shtoi më tej se nën udhëheqjen e Partisë Komuniste kineze të Xi Jinping, Pekini ishte bërë më represiv në shtëpi dhe më agresiv jashtë vendit. Në fjalimin e tij, Blinken detajoi strategjinë për të konkurruar me Pekinin në një garë për të përcaktuar ekuilibrin ekonomik dhe ushtarak të shekullit XXI.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara e shohin Rusinë si kërcënimin më të mprehtë dhe të menjëhershëm për stabilitetin ndërkombëtar, zoti Blinken tha se administrata amerikane beson se Kina përbën një rrezik më të madh. Blinken tha gjithashtu se Uashingtoni do të vazhdojë zgjerimin e bashkëpunimit me Tajvanin, pavarësisht nga "kërcënimet në rritje" të Pekinit. Marrëdhëniet SHBA-Kinë ranë në nivelin më të ulët në dekada nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump dhe janë përkeqësuar më tej nën Presidentin Joe Biden, i cili deri tani ka mbajtur në fuqi tarifat gjithëpërfshirëse të paraardhësit të tij për mallrat kineze. (A2 Televizion)