
Kandidat i përbashkët dhe luftë kundër PS dhe Edi Ramës. Kjo është formula për të mundur kundërshtarin, sipas kreut të LZHK-së Dashamir Shehi. Në studion e Debatit në A2 CNN, ai sqaroi qëndrimin e tij dhe Aleancës Progresiste, ku theksoi se opozita duhet të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit. Shehi thekson se të gjithë ata që nuk pëlqejnë Berishën dhe Metën nuk duhet të mbeten jashtë procesit zgjedhor.
“Meqë opozita nuk ka pozicion të qartë, ka ardhur dita që të gjithë faktorët që janë në fushë marrin detyrën e pozicionin e vet dhe japin kontributin maksimal nga pozicione të ndryshme. Po qe në pozicionin e vjetër Berisha- Meta nuk ka nevojë për pjesë të tjera elektorale. Por ligji zgjedhor na e jep këtë mundësi, dhe kjo është pozitive për opozitën që për proporcionalin të gjithë kundër Ramës, kurse për mazhoritarin është logjike që të jetë një kandidat. Nëse dy grupet e PD nuk prodhojnë dot një kandidat nuk e kuptoj se ç’pretendim kanë që të mos lejojnë të tjetër të hyjnë me kandidatët e vet. Nëse bëhet për të treguar se kush është më i forti i opozitës i lind e drejta çdokujt të kandidojë. Logjika është kjo; me një kandidat të përbashkët të gjitha palët për të maksimizuar votat me mazhoritar. Me grupe të ndryshme për proporcionalin se nuk i prishim punë njëri-tjetrit. Njerëzit që nuk pëlqejnë Dash Shehin të shkojnë te partitë e tjera, por njerëzit që nuk pëlqejnë Berishën e Metën nuk duhet të ngelin jashtë procesit zgjedhor në proporcional të jemi të gjithë më vete për mazhoritarin të biem të gjithë në një dhe na jep shanse të gjithëve ne po shkojmë të bëjmë politikë, jo krushqi nuk martohemi me njëri tjetrin. Jemi të ndryshëm. Formula është e thjeshtë. Kush do ta prishë këtë formulë nuk do që të fitojë zgjedhjet”.
Dhe në këtë pikë Shehi nënvizon se nëse “largohemi nga ky fokus qëllimi nuk është fitorja në zgjedhje por se kush kontrollon fushën opozitare”.
“Ne ndajmë gjëra të ndryshme me Berishën për tema të mëdha politike, zgjedhjet janë lokale por kane edhe sfond politik. Na bashkon lufta ndaj zotit Rama dhe dalja me një kandidat. Nëse merremi me tema të tjera nuk kemi për qëllim të mundim kundërshtarin, por njëri-tjetrin tregon që nuk ka qëllim zgjedhjet, por mjet për të treguar se kush kontrollon fushën opozitare dhe ky është një gabim i madh edhe nuk ka vlerë në demokracinë e sotme”.
Sipas tij duhet ndryshim themelor dhe jo rrotacion dhe alternativa e tyre është një ide.
“Nuk mjafton rrotacioni, por na duhet ndryshim themelor, ne kemi hedhur një ide, po e ndoqën shqiptarët gjenerojmë një motor, ne bëjmë tentativën tonë po u pëlqeu mirë në të kundërt aty e kanë zgjedhjen e vjetër. Pse nuk fitojmë me këtë kundërshtar të korruptuar? Se shqiptarët thonë se këta pothuaj se janë njëlloj. Në nuk jemi ndërmarrje, por ide. Nuk kemi ndërmend të luftojmë ndaj Berishës, por Edi Ramës. Diferenca e keqe e atyre që ndjekin Berishën thonë që duhet të mendoni si ne dhe të na pranoni ne. Ne u themi shqiptarëve që nuk ju gënjejmë më. Kam 30 vjet që ndjek idetë e mia dhe nuk më ndjekin shqiptarët por nuk jam lodhur duke ndjekur idetë e mia, ne kemi edukuar shqiptarët të shkojnë pas të fortit jo pas të drejtit”. (A2 Televizion)