
Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, u shpreh në një lidhje me “Ditari” në A2, se qeveritë dhe kryeministrat e vendeve serioze “i kanë mbyllur kontratat për vaksinën që prej muajit shtator dhe kanë paraqitur programet e qarta të vaksinimit të popullit të tyre”, ndërkohë që, sipas tij, kryeministri Edi Rama merret me “meme”.
“Çështjet nuk zgjidhen me takime “sy më sy”, duheshin zgjidhur me kontrata disa muaj më parë. Tani, e vetmja gjë që na ngelet për të bërë është që të bindim vendet partnere si Italia që të na japin sasi nga vaksinat e tyre”, deklaroi Shehu.
“Është skandal i vërtetë që ministrja thotë nuk dimë se çfarë vaksine do të marrim. 3 janë vaksinat kryesore. Do të ketë edhe shumë të tjera, do të ketë indiane, ruse apo kineze, por këto nuk janë të certifikuara nga EMA dhe FDA. Sot për sot, deri në janar të certifikuara do të jenë Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca. Mbi bazën e këtyre do të nisë vaksinimi në vendet e zhvilluara. Ndoshta jemi i vetmi vend evropian pa kontratë të firmosur dhe nuk e dimë se çfarë vaksine do të marrim. Nuk ka as program të qartë për etapat e vaksinimit. Covax është ngritur si strukturë për të ndihmuar me vaksina vendet që nuk sigurojnë dot kontrata, Covax siguron vaksinë vetëm për 20% të popullsisë dhe Covax pranon vaksina që nuk janë të certifikuara nga EMA”, shtoi Shehu.
Sipas tij, “do të ishte gabim shumë i rëndë nëse në Shqipëri qarkullojnë vaksina të pacertifikuara nga EMA”. (A2 Televizion)