Në mbledhjen e radhës së qeverisë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se vënia përpara drejtësisë autorëve, përgjegjës për vdekjen e 51 personave nga tërmeti i 26 nëntorit do të kërkojë pak kohë.
Sipas kreut të qeverisë “KÇK” është akoma në detyrë dhe për këtë arsye të gjitha provat duhet të jenë të kopsituara përpara se të shkojnë në gjykatë.
“Nxjerrja e përgjegjësive dhe vënia përpara përgjegjësisë e autorëve nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Kërkon dokumentim sepse do shkojë në gjykatë dhe “KÇK” është ende aty që të shfrytëzojë ndonjë situatë për të qenë në lartësinë e motos së vet. Nuk do i japim mundësinë “KÇK” të shqyejë ndonjë copë tjetër. Do bëjmë çmos që të gjitha referimet të jenë të kopsitura nga pikëpamja e dokumentacionit, kështu që kjo kërkon pak kohë, kështu që durim dhe ju që kërkoni gjak”, u shpreh kryeministri Edi Rama. (A2 Televizion)