Demiraj: Pentagoni, hetim të thelluar për deklaratat e Edi Ramës

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 23:30 | Politikë

Dritan Demiraj, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, u shpreh se Pentagoni ka hetuar thellë mbi deklaratat, sipas tij, të gënjeshtërta, për buxhetin e mbrojtjes së vendit tonë.

“Deklaratat për buxhetin e mbrojtjes kanë qenë gjithmonë fiktive, të gënjeshtërta dhe pikërisht për këtë arsye ka pasur një hetim të thelluar nga Pentagoni shumë pak përpara Samitit të Ankarasë. Gjatë takimit që kanë bërë në Ministrinë e Mbrojtjes me ministrin e Mbrojtjes dhe më pas me kryeministrin, ekipi amerikan i ka paraqitur të gjitha detajet e gënjeshtrave dhe mashtrimeve të Edi Ramës për një buxhet prej 1.3%, të cilin e paraqiste sigkur kishte mbi 2%, duke futur asete të Mbrojtjes Civile, të Ministrisë së Shëndetësisë, por jo vetëm”, tha Demiraj në një lidhje direkte me studion e “Off the Record”.

Më tej, ai nënvizoi edhe dy aspekte pozitive të vendit tonë në raport me NATO-n.

“Republika e Shqipërisë, si çdo vend anëtar i NATOS-s, ka deklaruar aftësitë dhe kapacitetet për NATO. Më kryesoret janë dy: grup-batalioni i dytë, i cili tashmë është i certifikuar nga NATO, me gjithë forcën e duhur. Së dyti, përfundimi me sukses pardje i stërvitjes së SOTG-së, që do të thotë task forca e njësive special, e cila tashmë është krejtësisht e gatshme për t'u dislokuar në çdo detyrë apo në çdo mision. Pra kemi dy zbatime de fakto të detyrimeve që Shqipëria ka për NATO-n”, u shpreh Demiraj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos