
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Arabia Saudite, Katari dhe vende të tjera të Gjirit Persik i kanë kërkuar të mos ndërmarrë sulme të tjera në shkallë të gjerë kundër Iranit, duke pretenduar se mund të shkatërrojë infrastrukturën energjetike, urat dhe objektet industriale të vendit brenda vetëm tri ditësh.
Trump tha se mund ta përfundonte luftën menjëherë, por se po vijonte të ushtronte presion ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit, me kërkesë të aleatëve rajonalë.
“Arabia Saudite më ka kërkuar që ta lëmë situatën ashtu siç është tani për njëfarë kohe”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini preferonin qasjen aktuale.
“Nuk jam i sigurt nëse jam dakord me këtë”, shtoi Trump. I pyetur nëse do të kishte urdhëruar sulme të tjera nëse nuk do të kishte marrë këto kërkesa, presidenti amerikan u përgjigj: “Po, do ta kisha bërë”.
Trump pretendoi se SHBA-ja deri më tani e kishte kursyer në masë të madhe infrastrukturën energjetike dhe urat e Iranit.
“Brenda një dite, atyre do t'u zhdukej infrastruktura energjetike. Brenda një dite do t'u shkatërroheshin urat. Dhe brenda një dite do të humbnin kapacitetet e tyre prodhuese. Mua do të më duheshin vetëm tri ditë”, deklaroi ai.
Trump pranoi gjithashtu se rritja e çmimeve të karburanteve, si pasojë e luftës, kishte ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, por njëkohësisht mbrojti vendimin e tij për të sulmuar Iranin.
(A2 Televizion)