Skandali në Nvidia, Jensen Huang kishte lidhje me një tjetër punonjëse, dorëheqja trondit gjigantin e AI-së

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 07:03 | Bota

Skandali në Nvidia, Jensen Huang kishte lidhje me një tjetër

Ish-CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, ka pasur një marrëdhënie intime me një punonjëse të dytë të kompanisë, sipas dy personave të njohur me çështjen, ka mësuar agjencia e lajmeve Reuters.

Ky zbulim vjen pas dy marrëdhënieve të tjera jashtëmartesore, të cilat çuan në dorëheqjen e tij të enjten. Bëhet fjalë për Alice Huang, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se është spiune kineze, dhe Kimberly Powell, zv/presidente e Nvidia-s për sektorin e kujdesit shëndetësor.

Reuters nuk po e bën publik emrin e punonjëses tjetër me të cilën ai ka pasur marrëdhënie intime.

Nvidia nuk pranoi të komentojë. Kimberly Powell, Jensen Huang dhe një përfaqësues i bordit drejtues të Nvidia-s nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Alice Huang nuk u arrit të kontaktohej për të dhënë një koment.

Jensen Huang pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore në një deklaratë të publikuar më 8 nëntor, pas raportimeve për marrëdhënien e tij me Alice Huang, pa e përmendur atë me emër.

Vendimi i ish-drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s për t'u larguar nga kompania mund të shkaktojë tronditje në industrinë e inteligjencës artificiale (AI), të cilën ai ka ndihmuar ta formësojë.

Nvidia ka përdorur fuqinë e saj financiare për të ndihmuar në krijimin e një industrie të tërë rreth inteligjencës artificiale, përmes marrëveshjeve komplekse financiare që lehtësojnë blerjen e çipave të kompanisë. Për këtë qëllim, ajo ka mbështetur kompani të informatikës në cloud dhe laboratorë të inteligjencës artificiale.

Presioni ndaj Jensen Huang, 63 vjeç, i martuar, për të dhënë dorëheqjen u rrit pas raportimeve për lidhjen e tij me Alice Huang.

Bordi drejtues i Nvidia-s emëroi drejtoreshën financiare, Colette Kress, si CEO të përkohshme, ndërkohë që zhvillon procesin e përzgjedhjes së pasuesit të Jensen Huang. Bordi po shqyrton kandidatë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë kompanisë.

Në fillim të këtij muaji, bordi i Nvidia-s nisi një hetim, të drejtuar nga anëtarë të pavarur dhe me ndihmën e këshilltarëve të jashtëm ligjorë, për të përcaktuar nëse Jensen Huang kishte qenë objektiv i një operacioni të shërbimeve të huaja të inteligjencës. Në atë kohë, bordi shprehu gjithashtu besimin e tij tek ai.

Aksionet e kompanisë ranë me 5,5% gjatë tregtimit intensiv të së enjtes. Që nga kulmi i arritur në fillim të tetorit, aksionet kanë humbur më shumë se 30% të vlerës së tyre.


(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos