
“Ajo që ka ndodhur është e paprecedentë, por është e pritur nga ky kryeministër dhe ky kryetar bashkie. Në mes të natës, pa zbatuar asnjë bazë ligjore, shembet një objekt në qendër të vendit, me një histori 100 vjeçare, me pjesë të identitetit dhe krenarisë së vendit tonë. Është e paprecedentë që në kulmin e gjendjes së emergjencës shfrytëzohet për të vendosur shtylla të diktaturës. Thirrjet: Poshtë diktatura, rikthehen sërish. Kjo qeveri po shfrytëzon çdo pronë publike, thuaj se është në ditët e fundit të qeverisjes”.
Kështu u shpreh në A2 ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, teksa komentoi shembjen e Teatrit Kombëtar.
Sa i përket vendimit për shembjen e Teatrit, Çupi shprehet se është shkelur ligji. “Ligji i miratuar në parlament ishte i paprecedentë. Ligji është në Kushtetuese dhe nuk kemi një vendim, të cilin duhet ta prisnim. Vendimi i Këshillit Bashkiak, i cili në asnjë gërmë të ligjit nuk përligjet shembja e Teatrit. Mbledhja ishte njoftuar më 15, ndërsa vendimi u nxor në datën 14. Këshilli Bashkiak nuk ka kompetencë të shembë në orët e vona një objekt. Është cenuar ligji dhe nuk ka as moral në këtë situatë. Janë shteruar të gjitha format e mbrojtjes me procese gjyqësore, por këta manipulojnë dhe përdorin propagandën. Kjo që kanë bërë këta nuk justifikohet me asnjë veprim. Të mos harrojmë se këta po veprojnë si në ditën e fundit në qeveri. Teatri u duk si llokma e fundit”, u shpreh Çupi. (A2 Televizion)