
Vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar, nga miratimi në Këshillin Bashkiak e deri në ekzekutimin e tij që rezultoi me shembjen e godinës, ka kaluar përmes disa shkeljesh si të rregullores mbi të cilën funksionon ky këshill, ashtu edhe të ligjit për vetëqeverisjen vendore.
Shkelja e parë që bie në sy ka të bëjë me procedurat që duhen ndjekur për mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Rregullorja mbi të cilën funksionon ky organ, në nenin 13 sanksionon se këshilltarët duhen njoftuar 5 ditë para për zhvillimin e mbledhjes, siç shpjegoi në A2 edhe ish-këshilltari demokrat Akil Kraja.
“Njoftimi i këshilltarëve ka ndodhur ditën e mërkurë, më 13 maj, të nesërmen në mënyrë anonime, pa transparencë dhe pa një debat, është publikuar ky vendim i famshëm”.
Të njëjtën gjë sanksionon edhe neni 13 i ligjit për vetëqeverisjen vendore.
“Duhet t’i informojnë 5 ditë para marrjes së një vendimi. Ligji e thotë këtë për t’i dhënë kohë mediave, palëve të interesuara, autoriteteve publike. Kur një vendimmarrje merret me urgjencë tregon se ka një problematikë”.
Shkelja e dytë ka të bëjë me hyrjen në fuqi të vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Edhe rregullorja e këtij këshilli edhe ligji për vetëqeverisjen vendore, sanksionojnë se vendimet e Këshillit Bashkiak hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes së tyre.
“Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Minimalisht nga data 14 duhet të kishte 10 ditë që ky vendim të kishte fuqi ligjore. Shembja është e paligjshme”.
Në rastin e Teatrit Kombëtar, vendimi u ekzekutua vetëm 3 ditë pas shpalljes së tij, kur edhe sipas vetë referencës ligjore të vendimit, ai ende nuk kishte fuqi ligjore. Ish-këshilltari bashkiak i Tiranës, Akil Kraja, pohoi gjithashtu në A2 se ky vendim ka injoruar një tjetër të Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas të cilit lejet për ndërtimin apo prishjen e institucioneve kulturore të karakterit kombëtar, si teatrot dhe kinematë, jepen vetëm nga KKT. (A2 Televizion)