
Pandemia e koronavirusit po ndikon frikshëm në shëndetin mendor të popullsisë. 1 në 2 persona po përjetojnë ankth për shkak të frikës nga virusi dhe pasojave që mund të shkaktojë ai.
Format e stresit po shfaqen në mënyra të ndryshme, por mjekët kanë vënë re rritje të rasteve që kanë nevojë për trajtimin me medikamente.
20-30-vjeçarët po e përjetojnë më keq situatën nga pandemia, ndoshta për faktin se janë grupmosha me më pak komplekse, sipas mjekëve, për të treguar problemin. Por, në këtë periudhë gjendje të rënduara psikologjike po konstatohen te pacientët e shtruar në spitalet Covid.
Ervin Hajdaraga, një nga psikologët që shërben në Spitalin Infektiv, tregon se të sëmurët kalojnë stres para se të shtrohen në spital. Ndërsa gjatë trajtimit u shtohet frika për jetën dhe e kanë të nevojshme praninë e psikologut: "Kanë pagjumësi, mbartin stres para se të vijnë në spital dhe kjo sjell një gjendje shumë të rënduar. Por, me kalimin e ditëve kanë nevojë të flasin dhe kjo bën që ata të shkarkojnë emocionet".
Ende nuk ka studime të sakta, por 3 muajt e fundit shkencëtarët kanë vënë re se koronavirusi shkakton pasoja në sistemin nervor të të prekurve: “Koronavirusi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në tru, duke krijuar jo vetëm dëmtime, siç është iktusi, që është një sëmundje neurologjike, por dhe çrregullime madhore të humorit apo çrregullime të mendimit si deluzionet dhe psikozat”.
Specialistët e shëndetit mendor i bëjnë apel popullatës që vizitat te psikologu apo mjeku psikiatër duhet t’i konsiderojnë normale, veçanërisht këtë periudhë. Gjatë muajve të pandemisë, dy pacientë të shtruar në Sanatorium dhe në gjendje të rënduar psikologjike i kanë dhënë fund jetës. (A2 Televizion)