
Çfarë është Shengeni Ballkanik Zgjatim i Procesit të Berlinit? Zgjim i idesë së një ish-Jugosllavie të re? Apo refuzim i Bashkimit Europian për zgjerim?
Autorësia e Shengenit Ballkanik ende nuk është qartësuar. Pak, por e sigurt, është, se për t’i dhënë jetë këtij projekti te ri, duhet të ishin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, bashkë...!
Gjithçka nisi në Novi Sad, ku Presidenti serb, Kryeministri shqiptar dhe ai i Maqedonisë së Veriut morën të parët iniciativën për t’u mbledhur në Serbi. Krijimi në hapësirën përbashkët i standardeve që i përgjigjen 4 lirive të BE: lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve ishte qëllimi i këtij samiti.
Por “Shengeni” i Novi Sadit erdhi në një kontekst të nderë gjeopolitik. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin me sytë nga Brukseli, që fatkeqësisht, një javë më vonë nuk dha një po për negociatat për asnjë nga dy vendet. “Dua t’u them qytetarëve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut se edhe nëse BE nuk i hap negociatat këtë herë, nuk është faji i tyre”, do të shprehej Vucic.
Por, a po devijohet busulla e shqiptareve nga Brukseli drejt Beogradit? Në një intervistë për A2 nga Novi Sadi, Kryeministri Edi Rama e përjashtoi tërësisht si mundësi. Në tre takimet e zhvilluara shkëlqeu me mungesën e saj Kosova, e cila ndonëse në mungesë, ja doli të tërhiqte gjithmonë vëmendjen te qëndrimet e saj. Qe pa nisur Novi Sadi, Prishtina ja bëri të qarta mesazhet Tiranës, ndonëse pa turbulluar ujërat. Atëherë-ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, u shpreh për A2: “E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”.
Asgjë jashtë parashikimeve. Novi Sad, Ohër, Tiranë, Kosova mungoi. Kryeministri shqiptar, pretendon se ka marrë garancitë nga Serbia se nuk ka veto për praninë e Kosovës. Por Ramush Haradinaj, tha se përveç faktit se Serbia nuk e njeh Kosovën, kishte edhe arsye të tjera për refuzimin e ftesës.
Një muaj me pas, radhën e kishte Ohri. Përsëri Kosova refuzoi, duke thënë, përmes Presidentit Thaçi, se edhe në samitin e parë, Kosova ishte anashkaluar qëllimisht nga Serbia. Shpërfilljen e Kosovës, Rama duket se nuk e duroi as në Ohër, kur ftesës për t’iu bashkuar tryezës, zyrtarët e Kosovës iu përgjigjën me refuzim në kor. Qëndrimet e Ramës vetëm sa kompaktësuan kritikat ndaj tij.
Me të shkelur këmba e Vucic në Tiranë, përfaqësues të Vetëvendosjes u hodhën në protestë. Efekte. Edhe mëngjesin e samitit të tretë, protestat nuk u ndalën. Në Tiranë u shtua një karrige për tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor. Jashtë mbeti vetëm Bosnja dhe Kosova.
Refuzimi i ftesës nga vëllezërit e Prishtinës, përfshirë mikun e tij Hashim Thaçi, nxehu gjakrat e Ramës në Tiranë. Me në krah presidentin serb, kaloi në sulm ndaj lidershipit të Kosovës. Thumbat dhe akuzat tashmë kalonin pa doganën e Morinës. Përballë fjalëve të Ramës, Haradinaj përgjigjej me të njëjtën monedhë.
Tre takimet e Shengenit Ballkanik kanë prodhuar më shumë zhurmë e tym politik se rezultate konkrete. Asnjë marrëveshje deri më tani nuk është firmosur mes vendeve pjesëmarrëse. Vetëm fjalë e qëllime të mira, por Aleksandar Vucic ka premtuar se takimi i radhës në shkurt do të jetë historik. (A2 Televizion)