
Mëngjesin e të dielës Ilir Meta u kujdes të qetësonte opionin publik në lidhje me takimin që zhvilloi të premten me djalin e George Soros, duke shpjeguar se nuk kishte biseduar me të për Shengenin-Ballkanik. I pyetur shpesh nga gazetarët për këtë temë Meta ka evituar gjithmonë një qëndrim të drejtpërdrejtë.
Të njëjtin stil ruajti edhe në përgjigje të një televizioni boshnjak, kur u shpreh se “Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur. Kjo duhet të ishte njëparakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme”, theksoi Meta.
Sipas Presidentit, “Iniciativa që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër”.
Kush del hapur kundër nismës së Shengenit Ballkanik është Lulzim Basha. Nga Facebook-u ai thotë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihet duke përjashtuar Kosovën, ndaj e quan të papranueshme moskonsultimin e qeverisë së Tiranës me atë në Prishtinë.
Basha nënvizon se samiti i Mini-Shengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, duke e cilësuar këtë një fyerje për Kosovën dhe mbarë Kombin shqiptar.
“Kaq do të mjaftonte”–shpjegon kryedemokrati–“për të mos mbajtur aktivitetin deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia. Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës”, shkruan Basha.
Por kundërshtimi i kreut të PD shkon përtej Kosovës. Po me kaq shqetësim ai vëren se nisma u propozua pas shtyrjes për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke lënë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë ndaj Bashkimit Europian. Basha këtë e quan një ofertë alternative denigruese të integrimit dhe mendon se Shqipëria nuk duhet ta pranojë. (A2 Televizion)