
“Nëse gjykon dikë nuk gjen kohë për ta dashur. Por, dashuria shpëton botën”. Kjo është vetëm një nga porositë që na ka lënë Nënë Tereza, sot një shqiptare e shenjtëruar për të gjitha veprat e mira që la në këtë Tokë.
Gonxhe Agnes Bojaxhiu, lindi në Shkup në vitin 1910 nga prindër shqiptarë. Ishte një fëmijë si gjithë të tjerët, por u bë një nënë e madhe për gjithë njerëzimin. Nëpërmjet fytyrave të përçudnuara dhe më të varfërve ndër të varfër, ajo një mësuese e rigjeti forcën dhe dashurinë për t’u bërë një shëronjëse për vuajtjet.
Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza, një nënë për ata që i kishin braktisur, për ata që nuk ishin të dashur dhe për ata që nuk kishin asgjë për të humbur. Me vdekjen e papritur të babait, për Anjezën që nuk kishte mbushur ende 8 vjeç dhe familjen e saj filluan vështirësitë ekonomike. Por, në familjen e tyre nuk mungoi asnjëherë dashuria.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e “Motrave të Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Aty, Nënë Tereza do të themelonte një bashkësi bamirësie për t’iu përkushtuar misionit të saj të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu për të hyrë në botën e të varfërve dhe në botën që do ta nderonte si shenjtore.
Vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdes për të moshuarit që gjente në rrugë, për ata që i kishte pushtuar uria e sëmundjet. Për të gjitha këto, në vitin 1979 u nderua me çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen. Ishte nëna që vitin 1997 kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.
Menjëherë pasi takoi Papa Gjon Palin II, emëroi drejtoreshën e re të misionit, u rikthye në Kalkutë dhe kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla. Më 5 shtator 1997 Nënë Terezës i dha lamtumirën kësaj bote, së cilës i dha shumë. U lumturua më 19 tetor të vitit 2003 dhe prej 5 shtatorit të vitit 2016, ajo është Shën Tereza. (A2 Televizion)