
Nismën për ta shkarkuar nga posti i Presidentit, Ilir Meta e mësoi edhe zyrtarisht. Në adresë të tij, Kuvendi i kishte dërguar kërkesën e 49 socialistëve që kanë për detyrë shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Në kundërpërgjigjen shkresore, Meta ka qasjen e tij se përse e Edi Rama kërkon ta heqë nga puna.
Ilir Meta: “Kjo përpjekje e radhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj”
Letërkëmbimi institucional nuk e pengoi Komisionin e Ligjeve të vijonte shqyrtimin e kërkesës. Dy deputetë socialist, Vasilika Hysi dhe Ervin Bushati, edhe pse s’do të jenë më pjesë e vendimmarrjes parlamentare në muajin shtator, treguan besnikërinë ndaj partisë duke parashtruar shkeljet e pretenduara të Ilir Metës.
Hysi: Në të gjitha daljet publike, Presidenti ka kryer haptazi aktivitet partiak në mbrojtje të interesit të një grupi individësh që i përkasin kryesisht opozitës. Presidenti i Republikës ka kërcënuar votuesit dhe ka thënë se ai vetë ose populli do t’i presë dorën.
Kreu i shtetit u shpreh i gatshëm për t’u përballur me deputetët në Komision në datën 10 maj. Afat ky që tejkalon kohën e mbetur për ngritjen e komisionit hetimor, para shpërndarjes së Parlamentit. Kësisoj, deputetët vendosën të thërrasin në seancë dëgjimore Presidentin në datën 6 maj, për t’i përcjellë më pas seancës plenare kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor. (A2 Televizion)