
Pasi shkarkoi nga detyra 6 anëtarë të Gjykatës së Lartë, procesi i vetting-ut e la këtë gjykatë edhe pa kryetar.
Kryegjyqtari i Lartë u përjashtua nga sistemi gjyqësor prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë e vetting-ut, për shkak të kriterit të pasurisë.
Ndryshe nga Shkalla e Parë, që e konfirmoi në detyrë, KPA vlerësoi se Zaganjori nuk justifikonte 4 pasuri të patundshme pranë qendrës së Tiranës.
I njëjti arsyetim u bë nga Kolegji edhe për shpenzimet e kryera prej tij për arsimimin e fëmijëve në Angli dhe Gjermani, si edhe për blerjen e një shtëpie në plazh.
Zaganjori nuk ishte prezent gjatë shpalljes së vendimit. Shkarkimi i tij e lë Gjykatën e Lartë me vetëm një anëtar, duke thelluar ngërçin e mosfunksionimit të saj. Pasi u konfirmua në Shkallën e Parë në korrik 2018, Xhezair Zaganjori pati rol kyç në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi ligji i njeh krytarit të Gjykatës së Lartë kompetencën e thirrjes së mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku zgjidhen anëtarët e Këshillit. (A2 Televizion)