Një grup kriminal që operonte në fushën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit u shkatërrua nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar.
Gjatë operacionit të koduar “Laboratori” u arrestuan 3 persona për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Të arrestuarve Th. T. 61 vjeç, V. S. 63 vjeç dhe P. B. 65 vjeç iu sekuestruan një laborator i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner, pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve, pajisje për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale, 12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme, 1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme.
Këta shtetas kishin një ambient në Durrës, të cilin e përdorin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë, operacioni për kapjen erdhi pas një pune hetimore që zgjati 6 muaj.
Sipas hetimeve, këto dokumente prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e Bashkimit Europian, për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian. (A2 Televizion)