
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, shkoi në Strasburg për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Këtë e ka konfirmuar vetë Ministria e Jashtme serbe për agjencinë e lajmeve Beta. Pjesëmarrja e Daçiç në seancën e Këshillit të Europës, që u mbajt me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Serbisë, erdhi pasi vetë ministri serb lajmëroi se nuk do të udhëtonte për në Strasburg.
“Nuk do të shkoj atje të martën nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë”, deklaroi ai gjatë të hënës, edhe pse veproi ndryshe nga fjalët e tij. Megjithatë, ndërhyrja e tij duket se është ndjerë në Strasburg, pasi aplikimi i Kosovës për pranim në Këshillin e Europës nuk do të jetë në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
Kështu raporton media Kosova Online që citon burime diplomatike pranë kësaj organizate. Madje shkruan se në bazë të informacioneve që zotëron, ka qenë Gjermania që ka këmbëngulur për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës në Komitetin e Ministrave. Kosova Online raporton se Gjermania po kërkon një seancë të jashtëzakonshme më 21 prill për ta diskutuar këtë çështje. Por veprimet e fundit të Serbisë bien ndesh me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit, të pranuara zyrtarisht nga presidenti Aleksandër Vuçiç, ku ndër pikat është edhe ajo për mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Shefi i kabinetit i presidencës së Kosovës, Blerim Vela, nënvizoi se nëse Beogradi voton kundër aplikimit apo e pengon atë, përbën shkelje të marrëveshjeve të Brukselit në vitin 2013 dhe atë të fundit të shkurtit të këtij viti. Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj të 2022 dhe pranimi në atë institucion bëhet me një shumicë prej dy të tretash të votave. Qeveria e Albin Kurtit ka njoftuar se i ka votat e nevojshme dhe pret që aplikimi të shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, të marrë dhe miratimin e Asamblesë Parlamentare. (A2 Televizion)