Shkelja e masave anti-covid: Gjobat e munguara të policisë po i vendos koronavirusi

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2021, 15:39 | Aktualitet
Shkelja e masave anti-covid: Gjobat e munguara të policisë po i vendos

Shqipëria është shembulli tipik i vendit që nuk zbaton masat anti-Covid. Këtë nuk e thonë vetëm të huajt që habiten sapo shkelin në vendin tonë, por mjafton të kalosh disa orë në Tiranë apo dhe në qytete të tjera për të kuptuar se institucionet nuk duan të veprojnë.

Sipas akteve normative në fuqi, për sa kohe zgjat pandemia, Policia e Shtetit është organi kompetent që duhet të ndërhyjë në çdo rast të shkeljeve të masave anti-Covid nga qytetarët, nga bizneset apo dhe vetë strukturat e shtetit.  Por fushata e gjobave të Policisë për maskat dhe masat zgjati vetëm pak ditë.

Krahas qytetarëve dhe bizneseve private, rregullat po shkelen hapur dhe nga vetë shteti. Një nga precedentët e  shkeljes së masave anti-Covid nga institucionet shtetërore ishte aktiviteti i makinave retro në Gjirokastër. Tetorin e kaluar ky event me grumbullime dhe festime pa orar, shkaktoi një bum infektimesh në qytetin organizator të aktivitetit. Asnjë gjobë për institucionet organizatore. Edhe pas konfirmimit zyrtar të variantit Delta në vendin tonë, policia nuk ndryshoi asgjë nga e përditshmja e saj. Infektimet dhe viktimat  nga koronavirusi shtoheshin përditë edhe pse ekspertët artikulonin se shkak po bëhen grumbullimet masive nga aktivitetet e ndryshme, që kulmin e shënuan në ”Maratonën e Vrapit”  dhe me dy ndeshjet në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Edhe pse e dinë që nuk kanë rol vendimmarrës në atë që u quajt “Komiteti i Ekspertëve” mjekët vijojnë të këshillojnë qytetarët të mbrohen për të mos arritur në dyert e spitalit.

Rastet dhe viktimat nga koronavirusi  janë shumë më të larta se shifrat që raportohen çdo ditë. Nëse qytetarët, bizneset, institucionet shtetërore nuk respektojnë rregullat e pandemisë, gjobat e munguara të policisë do të na i vendosë koronavirusi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/10/26/pse-po-rriten-infektimet-brataj-federata-e-futbollit-dhe-institucionet-e-tjera-po-shkelin-masat/

A2 CNN Livestream

Latest Videos