Prej më shumë se një jave, mijëra hektarë me tokë bujqësore vazhdojnë të qëndrojnë nën ujë në fushën e Obotit në Shkodër.
Blerim Brahimaj, një nga fermerët e zonës, vjen çdo ditë të shikojë tokat e tij, me shpresën që uji të ulet disa centimetra nga të mbjellat, të cilat zor se mund të rezistojnë.
Ai tregon dëmet që i janë shkaktuar nga përmbytja e radhës. “Përditë vij të shoh tokat. Kam 5 mijë bimë lule dekorative, të gjitha nën ujë. Ulja e temperaturave do t’i thajë të gjitha. Flitet për rreth 5 mijë dollarë investim”, thotë ai për A2.

Si të gjithë fermerët e zonës edhe Blerimi, përveç ndihmës së munguar, ka edhe një apel për strukturat shtetërore.
“Të na thotë shteti çfarë duhet të bëjmë. Të investojmë më në këto toka, apo të ikim fare. Iku uji para dy jave, u rikthye prapë. Mbjellim në vjeshtë dhe prishet në dimër”.
Aktualisht, në zonën e Obotit janë mbi 1700 hektarë tokë bujqësore nën ujë, ndërsa edhe rruga është e kalueshme vetëm nga mjetet e larta, për shkak të prezencës ende të lartë të ujit në të. (A2 Televizion)