"Shkolla 'Emin Duraku' vatër e pandemisë"/ Drejtoria e Arsimit: Mësuesit janë zëvendësuar

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 12:12 | Aktualitet
"Shkolla 'Emin Duraku' vatër e pandemisë"/

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, e cila më herët u shpreh se shkolla “Emin Duraku” ishte kthyer në vatër infeksioni me 8 mësues pozitivë dhe 20 të tjerë të karantinuar, por prindërit nuk ishin njoftuar për situatën.

Drejtoria informon se mësimi në shkollë vijon normalisht dhe për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19, dhe disa të tjerë janë karantinuar, janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje.

Po ashtu, drejtoria sqaron se procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar.

“Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.

Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë, janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.

Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme.

Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë, por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos