Shkollat e Durrësit në kushte pandemie, mësim me turne në klasa dhe online

Nga A2 CNN
12 Tetor 2020, 12:07 | Sociale

Nxënësit dhe mësuesit kanë nisur, tashmë, një vit akademik shumë ndryshe nga të mëparshmit, për shkak të situatës globale të pandemisë COVID-19, dhe rregullave specifike që ka diktuar ky virus. Atyre të Durrësit, i është shtuar edhe problematika e infrastrukturës, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.  

Xhevdet Haxholli, drejtor në shkollën 9-vjeçare “Neim Babameto” në Durrës, tregon për A2CNN vështirësitë më të mëdha me përshtatjen me këtë situatë që po e hasin mësuesit e brezit të vjetër të arsimtarëve. Nxënësit e shkollës së tij janë transferuar për momentin në ambientet e shkollës “Leonik Tomeo”. Kjo sepse godina e “Neim Babameto” ishte ndër të parat që u shemb totalisht si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019. 

Xhevdet Haxholli, drejtor në shkollën 9 -vjeçare “Neim Babameto” në Durrës

“Nuk mund të themi qe çdo gjë është normale, sepse jemi ne kushte jo normale. Por besoj kushtet do te përmirësohen, me përshtatjen e nxënësve, me zbatimin e protokollit të COVID-19, dhe angazhimin e mësuesve”, deklaron për A2 drejtori Haxholli.

Për nxënësit përshtatja ka qenë më e natyrshme dhe me reagim të menjëhershme ndaj ndryshimeve, por, fatmirësisht, ky vit arsimor i riktheu kontaktin fizik me  shokët e klasës dhe kontaktit sy më sy me mësuesit e tyre.

Për sa i përket mësimdhënies, mësuesit deklarojnë se veç kohës në klasa po vijon edhe mësimdhënia online, ndërkohë që drejtori i shkollës shton se një tjetër pengesë e kësaj periudhe  ka qenë mungesa e pajisjeve teknologjike në familjet e shumë nxënësve, për zhvillimin e mësimit online. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos