
“Arsimi profesional, një formë arsimi e përbuzur dhe e neglizhuar për shumë kohë , ka qenë një ndër përparësitë kryesore të qeverisë në vitet 2013-2021”. Kështu thuhet në programin e socialistëve për katër vitet e ardhshme.
Në po të njëjtin program, qeveria “Rama 3” zotohet se shkollat profesionale dhe universitetet do të përgatisin qytetarin e mirë dhe punonjësin e suksesshëm të vitit 2030. Ngjashëm, qeveria u zotua edhe në mandatin 2017-2021, ku në programin e socialistëve thuhej se shkollat profesionale do të gjendeshin në të 61 bashkitë e vendit.
Mirëpo kjo nuk ndodhi. Aktualisht, në gjithë vendin gjenden 35 shkolla profesionale. Nga ana tjetër, interesi i të rinjve ndaj arsimit profesional ka pësuar rënie vitet e fundit.
Nga gati 21 mijë të regjistruar në arsimin profesional në vitin akademik 2016-2017, shifra ra në 19 mijë vitin e shkuar. Ndonëse numri i të regjistruarve mund të konsiderohet edhe si i kënaqshëm, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të diplomuarit. Edhe pse me luhatje, numri i atyre që kanë përftuar një certifikatë aftësie nuk i kalon 5 mijë në një vit akademik.
Shpenzimet për arsimin profesional, ndonëse me një rritje të lehtë këtë vit shfaqen të pamjaftueshme për të arritur objektivat e dëshiruar. Nga më pak se 23 milionë euro të alokuara për arsimin e mesëm profesional në vitin 2017, shifra ra në 18 milionë në 2018-n duke u rritur aktualisht në 27,1 milionë euro.
Një tjetër problem në arsimin profesional lidhet me integrimin në tregun e punës. Nga një vrojtim i bërë nga Ministria e Financave vitin e shkuar rezultoi se vetëm 46.9 për qind e të diplomuarve në arsimin profesional rezultojnë të punësuar një vit pas diplomimit.
Sipas Financave integrimi i ulët në tregun e punës të nxënësve që mbarojnë arsimin profesional lidhet me disa arsye, ku më kryesorja është mospërputhja e formimit më ofertën e punës. (A2 Televizion)